Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Zbulohet pas 64 vitesh procesverbali i “Mukjes”

    Zbulohet pas 64 vitesh procesverbali i “Mukjes”

    Shkruar nga Armand Jonuzi

    Wednesday, 01 August 2007

    Botohet për herë të parë procesverbali i Mbledhjes së Mukjes si dhe fotoja që ka fiksuar një nga momentet më historikë të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Si një nga ngjarjet më të errëta, së fundi ndriçohet nga një dokument autentik i nxjerrë nga Arkivat e Shtetit. Në të shkruhet gjithçka që kishte ndodhur në mbledhjen e 1 gushtit 1943 në fshatin Mukje të rrethit të Krujës, si dhe emrat e personave që morën pjesë në të.
    Historiografia komuniste Mbledhjen e Mukjes jo vetëm që nuk e ndriçoi, por për gati 50 vjet në tekstet shkollore ajo e sulmoi si të ishte një tradhti kombëtare. Sot në përvjetorin e 64-t të kësaj mbledhje, ne mund ta quajmë me plot gojën se Mukja ishte një parlament pluralist në kohë lufte.
    Dokumenti autentik
    Procesverbali i Mbledhjes së Mukjes përmban një sërë vendimesh të ndërmarra në mbledhjen e Tapizës më 26 korrik 1943 i cili ishte edhe hapi i parë i bashkimit të dy forcave politike. Në këtë mbledhje njëkohësisht është vendosur edhe kryesia që do drejtonte mbledhjen. Kryetar i kësaj mbledhje u vendos me vota unanime, Thoma Orollogai i cili përfaqësonte Ballin Kombëtar, kurse sekretar i saj u zgjodh anëtari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, z. Mustafa Gjinishi. Në dokument tregohet edhe personi që hapi mbledhjen e rëndësishme historike. Ai ishte Hasan Dosti, një nga eksponentët më të rëndësishëm të Ballit Kombëtar. Mbledhja përbëhej nga 24 anëtarë dhe secila forcë politike përbëhej me nga 12 anëtarë. Në listën e 24 anëtarëve të bie në sy se të dy forcat politike ishin munduar që të përfaqësoheshin me figurat më të njohura dhe më me reputacion. Fronti Nacionalçirimtar nga ana e tij ishte i përbërë nga emra të dëgjuar si Myslim Peza, i cili ishte edhe njeriu që krijoi të parën çetë antifashiste, Abaz Kupi, një emër i njohur i rezistencës ndaj pushtuesit, si dhe nga Mustafa Gjinishi apo Ymer Dëshnica, të cilët ishin nga drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste.
    Nga ana tjetër edhe përfaqësuesit e Ballit Kombëtar përfaqësoheshin nga disa prej personaliteteve më të larta të tyre si, Hasan Dosti, Mit'hat Frashëri, Hysni Lepenica etj.
    Në procesverbalin e mbledhjes së Mukjes të bien në sy edhe 5 pikat kryesore për të cilat diskutuan anëtarët e dy kampeve.
    Të dy palët do të luftonin kundër pushtonjësit fashist dhe çdo armikut tjetër që mund të sulmonte tokën shqiptare. Të dy palët do të luftonin për një Shqipëri të pavarur dhe etnike. Forma e regjimit do të zgjidhej prej popullit, me vota të lira, pas çlirimit të vendit. Komiteti i përbashkët do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të shpërndahej porsa që të formohej një qeveri e përkohshme.
    Fundi tragjik i një mbledhjeje
    Por megjithatë "parlamenti i parë pluralist" pati një jetëgjatësi shumë të vogël. Vetëm pak ditë më vonë nga Mbledhja e Mukjes, Enver Hoxha do ta dënonte rëndë atë, duke e cilësuar si një gabim të madh dhe Fronti Nacionalçlirimtar nuk mund të bashkëpunonte me Ballin Kombëtar. Një muaj më pas, më 4 shtator 1943, në Labinot të rrethit të Elbasanit u mbajt Konferenca e Dytë e Komitetit Qendror të Lëvizjes Nacionalçlirimtare", në të cilën u mor një qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar. Gjithashtu Partia Komuniste e paditi Ballin Kombëtar si organizatë "fashiste" dhe "tradhtare". Por sulmit nuk i shpëtuan as anëtarët e Frontit Nacionalçlirimtar që morën pjesë në atë mbledhje historike. Ata do uleshin nga postet e tyre drejtuese dhe u kritikuan rëndë për marrëveshjen. Ndërkohë që një fat tragjik pati Mustafa Gjinishi, i cili ishte edhe një nga drejtuesit e Partisë Komuniste. Ish-drejtuesi i Partisë Komuniste u vra vetëm pak kohë më vonë në një mënyrë të mistershme.

    Procesverbali i Mbledhjes
    së Mukjes

    1 Gusht 1943

    Sot, më datën 1 gusht 1943, u mbajt në katundin Mukje mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës së Ballit Kombëtar dhe të Organizatës Nacionalçlirimtare. Kryesia e mbledhjes, me vota unanime, iu ngarkua z.Thoma Orollogait dhe sekretaria, z. Mustafa Gjinishit. Bisedimet i hapi z. Hasan Dosti, delegat i Ballit Kombëtar, i cili deklaroi se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit Kombëtar, procesverbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar “ad referendum” prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme t’u bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritur.
    Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e Nenit 2 të ndryshohet e të qëndrojë në këtë mënyrë.
    Pika 1: Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator
    Pika 2: Luftë për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalishit e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike.
    Pika 3: Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: një Shqipëri të lirë indipendente demokratike popullore.
    Pika 4: Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverie provizore.
    Pika 5: Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

    Delegacionet

    B.K. (balli kombetar)

    1. Hasan Dosti
    2. Mit’hat Frashëri
    3. Thoma Orollai
    4. Sk. Muço
    5. Hysni Lepenica
    6. Jusuf Luzaj
    7. Kadri Cakrani
    8. Major Rauf Fratari
    9. Nexhat Peshkopija
    10. Halil Meniku
    11. Ismail Petrela
    12. Vasil Andoni


    K.P.N.C (fronti nac-clirim.)

    1. N/kolonel Jahja Çaçi
    2. Myslim Peza
    3. Abaz Kupi
    4. Ymer Dishnica
    5. Mustafa Gjinishi
    6. Omer Nishani
    7. Sulo Bogdo
    8. Shefqet Beja
    9. Medar Shtylla
    10. Stefan Plumbi
    11. Haki Stërmilli
    12. Gogo Nushi



    Nesër do ë lexoni:

    1. Dëshmi të personave që kanë qenë prezent në Mbledhjen e Mukjes. Kujtime dhe detaje mbi ngjarjen historike.

    2. Botohet për herë të parë edhe fotoja e rrallë e Mbledhjes së Mukjes,

    3. Dokumenti zyrtar i Mbledhjes së Tapizës.

    (Vijon nesër)


    nga armand jonuzi

    tirana observer
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 06-08-2007 më 13:33

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Zbulohet fotografia e rrallë e mbledhjes së Mukjes
    Shkruar nga Armand Jonuzi
    Thursday, 02 August 2007
    Botohet për herë të parë fotoja e rrallë që ka fiksuar një nga momentet më historike të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, atë të mbledhjes së Mukjes, si dhe procesverbali i mbledhjes së Tapizës, të datës 26 korrik 1943. Në foto dalin për herë të fundit së bashku të dy forcat më të mëdha politike në Shqipërinë e atyre viteve, të cilat luftonin pushtuesit.
    Pak kush e dinte se ai takim ishte dhe i fundit midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar, të cilat më vonë do ktheheshin në armiq midis tyre. Por jo pa rëndësi është edhe procesverbali i Mbledhjes së Tapizës, i cili ishte hapi i parë që çoi dy forcat në mbledhjen e Mukljes. Sipas veteranit të Ballit Kombëtar, Islam Lleshi, Mbledhja e Mukjes sot mund të quhej Mbledhja e Tapizës. Kjo pasi, sipas Lleshit, takimi i parë midis dy forcave politike u realizua në Tapizë, në shtëpinë e Ihsan Toptanit dhe nga ai takim ato dolën me pikat që u nënshkruan në Mbledhjen e Mukjes. Mbledhja u zhvillua në datat 25-26 korrik të vitit 1943 dhe në të dyja forcat politike vendosën të krijonin Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë si dhe dolën me 5 pika. Pika e parë e tyre ishte luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë. Pika e dytë ishte “Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-s dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtyt të parimit të vetëvendosjes të popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut”. Gjithashtu një pikë tjetër ishte bashkimi i tyre kundër pushtuesve si dhe regjimi të vendosej nga vota e popullit menjëherë pas përfundimit të luftës. Por veterani Lleshi zbulon edhe një fakt tjetër interesant të kësaj mbledhjeje. “Kontakti i parë për të ndërmarrë një hap të tillë ishte midis Mustafa Gjinishit dhe Hasan Dostit, të cilët ishin miq të ngushtë”, tregon Islam Lleshi. Sipas tij, Hasan Dosti i kishte paraqitur Mithat Frashërit kërkesën e Mustafa Gjinishit që të dy forcat të bashkëpunonin në luftë. Mithat Frashëri u gëzua shumë për këtë takim, tregon Lleshi, prandaj për këtë arsye ngarkoi Abaz Kupin, i cili të caktonte një vend takimi për të dyja palët. “Abaz Kupi zgjodhi shtëpinë e Ihsan Toptanit në Tapizë, pasi mendonte se takimi midis dy forcave do ishte afërsisht i njëjtë me Konferencën e Pezës dhe nuk do kishte shumë pjesëmarrës”, rrëfen për “Tirana Observer” Islam Lleshi. Por parashikimi i Abaz Kupit nuk u realizua. Të dyja palët erdhën në mbledhjen e Tapizëz me një numër të madh njerëzish të armatosur dhe të paarmatosur. Por, në fakt, në Tapizë u mblodhën më shumë se 150 vetë, ku shumica e tyre të armatosur më së miri.
    Kjo sipas Lleshit, solli te Abaz Kupi frikën se ata mund të diktoheshin nga forcat italiane, të cilat i kishin kazermat e tyre shumë afër vendit ku po zhvillohej mbledhja. Si dhe plani i tyre mund të dekonspirohej. Për këtë arsye, më 27 korrik të vitit 1943, si dhe duke qenë Tapiza fshat fushor, Abaz Kupi vendosi që mbledhja të zhvendosej nga fshati Tapizë në drejtim të Mukjes. Kjo pasi Mukja ishte një fshat strategjik dhe ku të dyja forcat ishin më të sigurta për të çuar deri në fund bisedimet e tyre. Vetëm katër ditë më vonë, më 1 gusht 1943, të dyja forcat do bashkoheshin përsëri në Mukje për të organizuar atë që mund të quash “Parlamentin e parë Pluralist” të krijuar në kohë lufte.



    Procesverbali i Tapizës

    Sot, më 26 korrik 1943, ora 11:00 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Isan Toptanit në katundin Tapizë të Tiranës, delegacioni i KPNC, i përfaqësuar nga z. Major Abaz Kupi, Myslim Peza, doktor Ymer Deshnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe delegacioni i “Ballit Kombëtar” i përbërë prej z. Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh z. Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe z.Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendosën të pranohen si dëgjues z. Patër Lek Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Avdulla Ymeri. Delegatët e të dy organizatave duke interpretuar dëshirën e vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse vendosën:

    Neni 1-: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “KOMITETI I SHPËTIMIT TË SHQIPËRISË”
    Neni 2-: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi:
    1-: Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.
    2-: Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-s dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtyt të parimit të vetëvendosjes të popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.
    3-: Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë.
    4-: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituente të zgjedhur me sufrazh universal.
    5-: Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverisjeje provizore.
    Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.
    Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin nga ana e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”.

    Delegatët

    K. i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar Balli Kombëtar

    1. Major Abaz Kupi 1. Mithat Frashëri
    2. Myslim Peza 2. Hasan Dosti
    3. Doktor Ymer Deshnica 3. Faik Quku
    4. Kamber Qafmolla
    5. Mustafa Gjinishi


    tirana observer..

    ------

    nuk besoj o tiku taku se eshte ndonjeri aty gjyshi yt..

Tema të Ngjashme

  1. Sali Berisha pas 12 vitesh shkon ne vendlindje Tropoje.
    Nga vagabondo_nyc në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 40
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 19:45
  2. Zbulohet ne tru origjina e besimit tek Zoti
    Nga _Mersin_ në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 11-03-2009, 07:29
  3. [Sukses] Gjendet pas 38 vitesh në Turqi Arta Tahiri
    Nga korab_2006 në forumin Në kërkim të personave të humbur
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 28-10-2007, 13:25
  4. Eduart Selami - rikthehet në Tiranë pas 9 vitesh
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 49
    Postimi i Fundit: 14-01-2007, 21:15
  5. Prej 4 vitesh kosovari kërkon babanë e humbur
    Nga Beqari002 në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-05-2003, 09:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •